IFLANET home - International Federation of Library Associations and InstitutionsActivities and ServicesSearchContacts


Deklarata e Glazgout mbi Bibliotekat, Shërbimet e Informacionit dhe Lirinë Intelektuale

Në takimin në Glazgou, mbajtur me rastin e 75-vjetorit të formimit të saj, Federata Ndërkombëtare e Asociacioneve dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA) deklaron se:

IFLA shpall të drejtën fundamentale të qenieve njerëzore për qasje dhe shprehje të informacionit pa kufizim.

IFLA dhe mbështetja nga anëtarësia nga mbarë bota, mbrojnë dhe promovojnë lirinë intelektuale, siçështë shprehur në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut. Kjo e drejtë intelektuale përfshinë begatinë e njohurisë njerëzore, opnionin, mendimin krijues dhe veprimtarinë intelektuale.

IFLA konfirmon se përkushtimi ndaj lirisë intelektuale është përgjegjësi kyçe e bibliotekave dhe profesionit të informacionit në mbarë botën, e shprehur përmes kodeve morale dhe e demonstruar përmes praktikës.

IFLA konfirmon se:

  • Bibliotekat dhe shërbimet e informacionit ofrojnë qasje në informacion, ide dhe punën imagjinative në çdo medium dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ato shërbejnë si porta të njohurisë, mendimit dhe kulturës, duke ofruar mbështetje esenciale për vendimmarrje të pavarur, zhvillim kulturor, hulumtim dhe studim jetësor si nga individë ashtu dhe nga grupe.
  • Bibliotekat dhe shërbimet e informacionit do të marrin, ruajnë dhe do të ofrojnë shumëllojshmëri të gjerë materialesh, duke reflektuar kështu pluralitetin dhe diversitetin në shoqëri. Përzgjedhja dhe sigurimi i materialeve dhe shërbimeve bibliotekare duhet të udhëhiqet nga konsiderata profesionale dhe jo nga pikëpamje politike, morale dhe fetare.
  • Bibliotekat dhe shërbimet e informacionit do t'i vënë materialet, pajisjet dhe shërbimet në dispozicion për të gjithë shfrytëzuesit. Nuk do të ketë diskriminim për çfarëdo arsye, përfshirë racën, origjinën kombëtare a etnike, gjininë a preferencën seksuale, moshën, paaftësinë, fenë, apo besimin politik.
  • Bibliotekat dhe shërbimet e informacionit do të mbrojnë të drejtën e secilit shfrytëzues për intimitet dhe konfidencialitet sa i përket informacionit të kërkuar apo të marrë dhe burimeve të konsultuara, huazuara apo të transmetuara.

IFLA prandaj thërret bibliotekat dhe shërbimete informacionit dhe stafet e tyre të kultivojnë dhe promovojnë parimet e lirisë intelektuale dhe të ofrojnë qasje të papenguar ndaj informacionit.

Kjo Deklaratë u përgatit nga IFLA/FAIFE.
Miratuar nga Bordi Udhëheqës i IFLA-s, 27 mars 2002, Hagë, Holandë.

Shpallur nga Këshilli i IFLA-s, 19 gusht 2002, Gllazgou, Skotlandë.